Secondary Adv

Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale pësuan rënie të ndjeshme në 2025

Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale pësuan rënie vitin e kaluar.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, këto humbje arritën vlerën e 146 milionë lekëve, në rënie me 52% krahasuar me vitin 2024. Bankat raportuan gjithsej 598 raste të humbjeve nga rreziqet operacionale, 69% më pak krahasuar me një vit më parë.


Pas rikuperimeve të realizuara, humbja neto operacionale u ul në 77.9 milionë lekë, duke rezultuar në një shkallë rikuperimi prej rreth 47%.


Rezultatet për fundin e vitit 2025 tregojnë se humbjet operacionale të bankave paraqiten përgjithësisht me materialitet të ulët, duke reflektuar kapacitete të mira për përthithjen e tyre.


Për shumicën e bankave, raporti mes humbjeve dhe të ardhurave neto të veprimtarisë bankare mbetet është nën 1%. Vlerat më të larta mes bankave për këtë raport luhaten midis vlerave 0.93% – 2.09%.


Humbjet operacionale të bankave lidhen me rreziqet të ndryshme të lidhur me operacionet bankare, por më tipiket kanë të bëjnë me vjedhje, përvetësim apo humbje të fondeve gjatë proceseve operacionale.


Tradicionalisht, rreziku më tipik për bankat ka qenë është ai i grabitjeve, qoftë në degët e bankave ose të vlerave monetare në transport. Megjithatë, në vitet e fundit, nuk janë raportuar tentativa për grabitje të këtij lloji.


Me rritjen e përdorimit të teknologjisë në shërbimet dhe produktet financiare, rreziku i lidhur me krimet kibernetike po bëhet gjithnjë e më parësor, mes rreziqeve ndaj të cilave është i ekspozuar sektori financiar.


Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë vitit 2025, është shënuar përmirësim në cilësinë e administrimit të rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, me një vëmendje të shtuar ndaj rrezikut kibernetik.


Kjo ka ardhur sepse bankat po bëhen gjithnjë e më të varura nga shërbimet dhe sistemet digjitale, ndërsa përballen me një rritje të numrit të kërcënimeve kibernetike.


Banka e Shqipërisë shprehet se mbikëqyrja bankare ndjek një sërë strategjish për të krijuar dhe mirëmbajtur një hapësirë të sigurt kibernetike në sektorin bankar.


Këto strategji përfshijnë masa teknologjike, organizative dhe rregullatore, të cilat synojnë mbrojtjen e të dhënave dhe sistemeve financiare nga sulmet kibernetike dhe rreziqet e tjera.


Në këtë kuadër, bazuar në “Udhërrëfyesin e Vetëvlerësimit të Rrezikut Kibernetik”, gjatë vitit 2025 është kryer vlerësimi i parë, për të pasur një pamje më të unifikuar nga Banka e Shqipërisë, mbi masën e maturitetit të proceseve e kontrolleve që lidhen me rrezikun kibernetik dhe adresimin e problematikave që burojnë prej tij.


Bazuar në vlerësimin e kryer, rezulton se sistemi bankar, në tërësi, tregon maturitet mesatar ose të mirë, por me dallime të ndjeshme ndërmjet bankave.


Nivelet e maturitetit të kontrolleve të ushtruara nga banka në lidhje me sigurinë kibernetike bazuar në grup-kontrolle paraqiten të ndryshueshme.


Kontrollet Organizative tregojnë një nivel nga 40% deri 92%. Ky nga grup-kontrollet me luhatje të lartë sa i përket nivelit të maturitetit ku, megjithëse politikat ekzistojnë, zbatimi i tyre nuk është i njëtrajtshëm;


Kontrollet e Personave tregojnë një shkallë nga 48% deri 98%, duke rezultuar në kontrolle përgjithësisht të forta në bankat me struktura të konsoliduara të burimeve njerëzore.


Kontrollet Fizike paraqiten me maturitet nga 54% deri 93% dhe përbëjnë grupin më të qëndrueshëm, me përputhshmëri të kënaqshme.


Kontrollet Teknologjike rezultojnë me maturitet nga 39% deri 94%, ku rreziqet kryesore konsistojnë në boshllëqe në ciklin jetësor të zhvillimit të sigurt, kriptografi dhe menaxhim dobësish.


Nga vlerësimi i Bankës së Shqipërisë rezulton se ekziston një nivel bazë i zbatimit të kontrolleve të sigurisë në të gjitha bankat, ku kontrollet fizike dhe të personave paraqesin përgjithësisht nivel më të lartë maturiteti, ndërkohë që kontrollet organizative dhe teknologjike mbeten fusha me nevojë për përmirësim të mëtejshëm, me fokus të veçantë në menaxhimin e rrezikut, palët e treta dhe sigurinë e aplikacioneve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat